Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren

RrOK PRIZREN

Kontakti

ADRESA
Rrjeti i Organizatave të Kulturës – RrOK Prizren

Sahat Kulla nr.24, 20000 Prizren

E-MAIL
[email protected]

TEL
029 222 131

Hulumtim mbi kapacitetet dhe nevojat e sektorit të kulturës në Prizren

KONTEKST
Procesi i hartimit dhe i zbatimit të politikave kulturore (si në nivel qendror ashtu edhe lokal) në Kosovë vazhdon të mbetet jashtë interesimit prioritar të institucioneve qeveritare dhe të shoqërisë civile në Kosovë. Në qytetet (komunat) e Kosovës vërehet mungesë e theksuar bashkëpunimi të drejtpërdrejtë dhe efektiv mes qeverisë lokale, shoqërisë civile dhe banorëve vendas lidhur me politikat kulturore. Qytetet tona janë ende larg modelit evropian të bashkëpunimit në mes të zyrtarëve të qytetit dhe organizatave qytetare, përfaqësuese të kulturës lokale për nxitjen e dialogut politik kulturor në mes të qytetit dhe qytetarisë.

QËLLIM
Projekti synon të nxisë qeverinë lokale për të parë kulturën si burim strategjik të zhvillimit, si dhe të promovojë pjesëmarrjen qytetare në hartimin dhe zbatimin e politikave kulturore. Forumet e debatit, hulumtimet, fushata mediale, dokumentaret dhe avokimi do të jenë mjetet kryesore të projektit për të promovuar sistemin e decentralizuar të menaxhimit të kulturës, prioritizimin e kulturës në politika publike, shfrytëzimin e potencialit kulturor për zhvillim lokal dhe përfshirjen aktive të komunitetit të kulturës në vendimmarrjen lokale. 

OBJEKTIVA
Identifikimi i bartësve kryesorë kulturorë në qytetin e Prizrenit dhe hulumtimi i kapaciteteve të tyre njerëzore, teknike, programore dhe profesionale, krijimi dhe lehtësimi i hapësirës për diskutime dhe debat mbi formësimin e politikave kulturore, analiza e hapësirave kulturore dhe identifikimi i mundësive dhe sfidave për bashkëpunim në mes të bartësve kryesorë të politikave kulturore, publikimi dhe shpërndarja e analizës dhe rekomandimeve të dala, krijimi i argumenteve për avokim për nxitjen e bashkëpunimin ndërsektorial dhe pjesëmarrjes qytetare për formësimin e politikave kulturore në qytetin e Prizrenit.

AKTIVITETE

Hulumtim mbi kapacitetet dhe nevojat e sektorit të kulturës në Prizren në kuadër të të cilit do të anketohen individët e angazhuar në fushën e kulturës (organizata kulturore, qeveri lokale, institucione kulturore të financuara nga shteti, artistë të pavarur, etj.) dhe qytetarët, synon skanimin e gjendjes në gjithë sektorin kulturor të Prizrenit lidhur me hapësirat kulturore, ofertën dhe konsumin kulturor, buxhetin në dispozicion, fondet për shoqërinë civile në fushën e kulturës, profesionalizmin dhe aspekte të tjera, për t’i evidentuar pengesat, sfidat, mundësitë dhe nevojat për pjesëmarrje qytetare në zhvillimin e politikave kulturore në nivel lokal. Aktivitetet e hulumtimit: identifikimi i grupeve të synuara për hulumtim dhe përpilimi i pyetësorëve, realizimi i anketës, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave, analizë statistikore dhe cilësore e rezultateve të hulumtimit, përgatitja e raportit analitik të hulumtimit, përgatitja e raporteve përmbledhëse të debateve, shkrimi i analizës politike (udhëzuesit), prezantimet e publikimeve përmes konferencës.

REZULTATE
Raporti hulumtues mbi gjendjen e sektorit të kulturës, nivelin e pjesëmarrjes në hartimin e politikave kulturore dhe rekomandime konkrete, nxitja e kulturës së debatit në Prizren mbi çështjet që janë jetike për qytetin, respektivisht mbi rëndësinë e zhvillimit të politikave kulturore, ofrimi i një pasqyre të besueshme të opinionit publik  mbi potencialin qytetar për zhvillim të politikave kulturore, sensibilizimi i opinionit të gjerë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në zhvillimin e politikave kulturore, si dhe rritja e ndjeshmërisë dhe vigjilencës së qeverisë lokale për t’i konsultuar qytetarët e Prizrenit mbi projektet dhe politikat e rëndësishme zhvillimore dhe kulturore të qytetit.

QËNDRUESHMËRI
Projekti parashihet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në praktikën e qeverisë lokale në hartimin e politikave kulturore. Një nga treguesit e parë të ndikimit të projektit parashihet të jetë krijimi i grupit të përbashkët punues (komunë – shoqëri civile) për të nisur dialogun dhe partneritetin për bashkë-hartim dhe bashkë-zbatim të politikave kulturore.