Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren

RrOK PRIZREN

Kontakti

ADRESA
Rrjeti i Organizatave të Kulturës – RrOK Prizren

Sahat Kulla nr.24, 20000 Prizren

E-MAIL
[email protected]

TEL
029 222 131

Strategjia për Kulturë dhe Turizëm

KONTEKST
Shembuj konkretë të zhvillimit të turizmit përmes aktiviteteve kulturore tashmë ekzistojnë në Prizren. Ky potencial ka nevojë të zhvillohet më tutje përmes një dialogu të strukturuar mes shoqërisë civile, qeverisë lokale dhe sektorit të biznesit. Konkretisht, zhvillimi lokal ekonomik i Prizrenit përmes turizmit kulturor kërkon politika konkrete lokale. Prandaj, Strategjia për Kulturë dhe Turizëm e Prizrenit është dokumenti strategjik, në të cilin do të parashihen të gjitha detajet e zhvillimit të qytetit përmes turizmit kulturor.

QËLLIM
Qëllimi i Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm është prioritizimi i kulturës në politikat lokale dhe shfrytëzimi i saj për qëllimeve të përgjithshme zhvillimore të qytetit. Hartimi i kësaj strategjie kalon përmes një procesi ndër-sektoral dhe me një dokument final që ka karakter të integruar.

OBJEKTIVA
Të iniciohet dialogu i strukturuar mes sektorit të kulturës (shoqërisë civile), qeverisë lokale dhe sektorit të biznesit, të prioritizohet kultura si potencial themelor i zhvillimit ekonomik, të iniciohet planifikimi strategjik i politikave kulturore, të parashihen detyrat e secilit sektor për të zhvilluar turizmin kulturor në Prizren, të diversifikohen  burimet e fondeve për aktivitetet kulturore në Prizren.

AKTIVITETE
Aktiviteti qendror i këtij procesi është hartimi i përbashkët i Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm të Prizrenit. Sektorët që doemos duhet të jenë pjesë e këtij procesi janë: qeveria lokale, shoqëria civile, sektori i kulturës dhe sektori i biznesit. Dinamika e hartimit të Strategjisë (takimet, grupet punuese, vizitat studimore, seminaret, etj.) do të parashihen në bashkëpunim me të gjithë sektorët e përfshirë. Një nga parakushtet e hartimit të kësaj Strategjie duhet të jetë vullneti i shprehur i sektorëve kyçë. Kjo nënkupton gatishmërinë e qeverisë lokale për të nisur këtë proces, ndërsa në anën tjetër kërkon rrjetëzim të sektorit të kulturës dhe të biznesit për të dërguar përfaqësuesit legjitim të sektorëve në procesin e hartimit të Strategjisë. 

REZULTATE
Rezultati afatgjatë i këtij procesi është zhvillimi i ekonomisë lokale të Prizrenit përmes turizmit kulturor. Ndërsa rezultatet afat-shkurtra dhe afat-mesme përfshijnë: prioritizimin e kulturës në politikat lokale, rrjetëzimin mes sektorëve të kulturës dhe turizmit, pasurimin e ofertës kulturore dhe turistike të Prizrenit, ofrimin e udhërrëfyesit të qartë për zhvillimin lokal ekonomik përmes turizmit kulturor, ngritjen e fondeve të reja nga donatorët ndërkombëtarë për kulturën dhe turizmin e Prizrenit.

QËNDRUESHMËRI
Strategjia për Kulturë dhe Turizëm e Prizrenit do të shndërrohet në dokumentin udhërrëfyes të planifikimit dhe implementimit të politikave strategjike zhvillimore për dekadën e ardhshme në Prizren. Ky projektim afatgjatë i zhvillimit të Prizrenit do të shërbejë si model pune për të gjithë sektorët e përfshirë gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa thelbi i qëndrueshmërisë së saj do të varet nga përkushtimi i të gjithë aktorëve të përfshirë në zbatimin e përpiktë të kësaj Strategjie. Për më tepër, një planifikim i këtillë zhvillimor do të tërheqë edhe donacione alternative (kryesisht nga donatorët e jashtëm), me ç’rast do të sigurohet edhe jetëgjatësia e kësaj Strategjie.

Në këtë link mund të gjeni një përmbledhje të Strategjisë për Turizëm Kulturor të qytetit të Belfastit (Irlandë)