Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren

RrOK PRIZREN

Kontakti

ADRESA
Rrjeti i Organizatave të Kulturës – RrOK Prizren

Sahat Kulla nr.24, 20000 Prizren

E-MAIL
[email protected]

TEL
029 222 131

Reagim i RrOK PZ për obeliskun "Unë e dua Prizrenin - I love Prizren"

Të nderuar,

 

Sot, ndër pikat e rendit të ditës së mbledhjes së sotme (31 Janar) të ekzekutivit të Komunës së Prizrenit, kemi vërejtur propozimin për obeliskun "Unë e Dua Prizrenin - I Love Prizren" që është hartuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe ka për qëllim "Promovimin e kapaciteteve turistike që i ka Komuna e Prizrenit".

 

Më tej thuhet se "realizimi i këtij projekti do t'i mundësonte qytetit të Prizrenit të identifikohet me diçka të re, atraktive dhe bashkëkohore për vizitorët dhe qytetarët". Në kërkesë nuk specifikohet hapësira e planifikuar apo ndonjë detaj tjetër, mirëpo burimet jozyrtare konfirmojnë që fjala është për një hapësirë në Qendrën Historike të Prizrenit.

 

Intervenime të tilla në hapësirë publike dhe në veçanti përmbrenda Qendrës Historike, janë çështje të interesit publik, të karakterit profesional dhe kërkojnë konsultim me institucione relevante të trashëgimisë, kulturës, planifikimit urban, sikurse edhe me komunitetin kulturor dhe artistik të qytetit, si dhe me qytetarët. Politikat e artit publik duhet të përcaktohen me Strategjinë e Kulturës së Komunës së Prizrenit si dhe Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike, ku përshkruhen procedurat, parametrat dhe format e propozimit dhe vlerësimit të këtyre intervenimeve.

 

Për fat të mirë, Komuna e Prizrenit është palë direkte e hartimit të këtyre dy dokumenteve të rëndësishme dhe i posedon mundësitë dhe mekanzmat që t'i zhvillojë këto projekte në mënyrë transparente dhe të duhur. Meqenëse nuk ka pasur njoftim zyrtar apo ndonjë formë të diskutimit publik mbi këtë çështje, ne si organizata të pavarura të kulturës, e kundërshtojmë këtë iniciativë dhe kërkojmë që lidhur me këtë rast por edhe me çështjet tjera që lidhen me hapësirat publike, të ketë diskutim publik me qytetarë dhe grupe të komunitetit.

 

Me respekt,

 

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren