Rrjeti i Organizatave tė Kulturës në Prizren

RrOK PRIZREN

Kino Lumbardhi është pjesë e identitetit kulturor të Prizrenit dhe Kosovës

30 shtator 2014

DEKLARATË E PËRBASHKËT

Kino Lumbardhi është pjesë e identitetit kulturor të Prizrenit dhe Kosovës

Kino Lumbardhi në Prizren është njëra ndër dëshmitë dhe vlerat më të rëndësishme të identitetit kulturor të shoqërisë kosovare. Ruajtja e kësaj vlere është obligim i gjeneratave aktuale të shoqërisë. Për këtë arsye, ne, organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë Kosova, jemi bashkuar rreth Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit. Përmes këtij deklarimi të përbashkët, kemi dëshirë të qartësojmë qëndrimin tonë të vendosur si dhe gatishmërinë tonë për t’i përdorur të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar rrënimin e ndërtesës apo tjetërsimin e funksionit primar të Kino Lumbardhit. Bazuar në argumentet vijese, ne kërkojmë ndaljen e procesit të privatizimit dhe shprehim mospajtimin tonë me përpjekjet për të rrënuar pjesë të caktuara të Kino Lumbardhit.

Vendimi i javës së kaluar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për të shpallë Kino Lumbardhin si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik (shoqëror), me qëllim të ndalimit të procesit të privatizimit, është veprim i duhur. Mregjithatë, ndër veprimet e propozuara pas dhënies së këtij statusi, në vendim përmendet edhe “zgjerimi i rrugës”. Ndërmarrja e këtij veprimi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimin e shpalljes së kësaj hapësire si zonë e interesit të përgjithshëm publik, në rast se “zgjerimi i rrugës” nënkupton rrënimin (dhe eventualisht rindërtimin) e pjesës së mbyllur të Kino Lumbardhit. Ne jemi të bindur se ekzistojnë argumente të fuqishme ligjore dhe shoqërore mbi të cilat e bazojmë përpjekjen tonë për të mbrojtur Kino Lumbardhin nga privatizimi, rrënimi dhe tjetërsimi i destinimit. Kjo Iniciativë mbi të gjitha është përpjekje e shoqërisë civile për të ofruar alternativa dhe për t’u bërë pjesë aktive e funksionalizimit të Kino Lumbardhit.  


Mbrojtja ligjore


Plani i Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit, i miratuar nga Kuvendi i Komunës në vitin 2008 e vendos Kino Lumbardhin në hierarkinë më të lartë të objekteve që duhen mbrojtur, duke e barazuar për nga rëndësia monumentale me Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit. Ky dokument parasheh ruajtjen e strukturës ekzistuese të objektit të Kinos, bashkë me funksionin (destinimin) që ka si hapësirë kulturore/filmike (kinema). Për më tepër, Plani i Konservimit nuk parasheh zgjerim të rrugës, por ofron zgjidhje për lehtësimin e trafikut automobilistik dhe krijimin e zonave për këmbësorë, gjithnjë në shërbim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor të zonës historike.

Strategjia Orientuese për Zhvillimin Kulturor të Prizrenit
, e miratuar nga Kuvendi i Komunës në vitin 2012 e identifikon Kino Lumbardhin si njërën nga ndërtesat më të rëndësishme të qytetit që përdoret si hapësirë artistike dhe kulturore. Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë një alternativë për politikat kulturore, duke i identifikuar potencialet ekzistuese mbi të cilat duhet të ndërtohet strategjia e zhvillimit kulturor të Prizrenit. Ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike është ndër rekomandimet kryesore të Strategjisë Orientuese.     

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2012 ia garanton Qendrës Historike të Prizrenit statusin e pronës së trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme. Parcelat kadastrale në të cilat shtrihet Kino Lumbardhi janë pjesë integrale e shotjcës së parë të këtij ligji. Për më tepër, në fund të shtojcës së dytë të ligjit ku listohen monumentet kulturore në këtë zonë, ofrohet ky shënim shtesë:
Statusi i objektit nën mbrojtje
Edhe objektet e rralla ose objekte me vlerë të veçantë marrin statusin e objektit nën mbrojtje si psh. trupat ndriçuese nga shekulli XX, puntori të vjetra, kinema, etj. Andaj nuk mund të rrumbullaksohen me numra objektet me vlerë dhe se ato që nuk janë në listë nuk nënkupton që nuk kanë vlerë. Nuk duhet haruar se procesi i vlersimit është në vazhdimësi dhe nuk është përfunduar.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Rregullorja për shpalljen në mbrojtje ligjore
, parashohin kriteret (vlerat) për përfshirjen e një prone në Listën e Trashëgimisë Kulturore: historike, arkeologjike, artistike, shkencore, shoqërore, shpirtërore, teknologjike dhe rariteti. Kinemaja Lumbardhi plotëson së paku katër nga këto kritere: historike, shoqërore, teknologjike dhe rariteti. Kinoja është njëra ndër objektet më të vjetra publike që ka mbijetuar në Prizren (historike). Ajo është dëshmi e traditës filmike të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit (shoqërore). Kinoja ka sjellë në Prizren teknikën e avansuar të asaj kohe të projektimit përmes shiritit filmik 35 milimetërsh në ekranin e madh (teknologjike). Stili i ndërtesës (përmasat dhe posedimi i pjesës së hapur krahas asaj të mbyllur) paraqet një ekzemplar të rrallë në Kosovë dhe rajon, jo vetëm në kohën e ndërtimit, po edhe sot (rariteti). Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit ka përgatitur dokumentacionin dhe së shpejti do t’i propozojë Ministrisë së Kulturës përfshirjen e Kino Lumbardhit në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

Lista aktuale e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohëshme, në mesin e 1428 pronave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore ka përfshirë edhe Kino Teatrin “Jusuf Gërvalla” në Pejë (numri rendor 454, numri unik në databazë 000362). Kino Teatri i Pejës është ndërtuar në vitin 1960, vite më vonë se Kino Lumbardhi i Prizrenit, ndërsa përfshirja e tij në Listën e Trashëgimisë Kulturore është një precedent i qartë ligjor që hap rrugë edhe për shpalljen e Kino Lumbardhit pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore.   


Vlerat shoqërore dhe kulturore

Historiku i ndërtesës – Kinoja është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit 20 dhe është njëra ndër objektet më të vjetra publike në Prizren. Në këtë ndërtesë është sjellë për herë të parë teknologjia e projektimin përmes shiritit filmik 35 mm, ndërsa tashmë shtatë dekada hapësira e saj përdoret për një numër të madh ngjarjesh kulturore. Kino Lumbardhi është dëshmi e traditës artistike (filmike) të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit.

Vendlindja e festivaleve
– Kino Lumbardhi është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Prizrenit. Në hapësirën e Kino Lumbardhit kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e Kino Lumbardhi. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire, nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Prizrenit.

Shënjues (pikë referimi) kulturor – Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, Kino Lumbardhi është shndërruar edhe në një shënjues kulturor (cultural landmark), pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në Qendrën Historike të Prizrenit. Si shënjues kulturor, Kino Lumbardhi është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Shënjuesit kulturor dhe historik të qyteteve sot trajtohen në nivel të njëjtë me monumentet e trashëgimisë kulturore, ndërsa në shumë raste ato edhe janë shpallur monumente në mbrojtje për shkak se me kohë janë shndërruar në shënjues kulturor (cultural landmark).

Kujtesa kolektive – të gjitha këto vlera shoqërore dhe kulturore i japin Kino Lumbardhit një hapësirë të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve. Struktura urbane e qytetit të Prizrenit ka pësuar transformime drastike viteve të fundit, me ç’rast është sulmuar kujtesa e qytetarëve (jo vetëm nga Prizreni) për qytetin. Rrënimi i Kino Lumbardhit do të ishte edhe një goditje për qytetin të cilin qytetarët duan ta kujtojnë. Mijëra qytetarë të Prizrenit në vitin 2007 kanë nënshkruar peticionin për mbrojtjen e Kino Lumbardhit. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mosndryshimin e destinimit dhe ruajtjen e objektit të kinemasë në formën aktuale. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës aktuale të objektit ose/dhe ndryshimin e destinimit si hapësirë kulturore/filmike (kinema), përveç tjerash paraqet edhe shkelje të vullnetit të dokumentuar të qytetarëve të Prizrenit dhe sulm mbi kujtesën kolektive të tyre.


Rekomandimet për mbrojtje dhe alternativat për funksionalizim

Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit është e strukturuar rreth një numri veprimesh, që do ta pasojnë këtë deklaratë të përbashkët, ndërsa rekomandimet tona për institucionet shtetërore janë:

1.    Largimi i propozimit për “zgjerimin e rrugës” nga vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e statusit të interesit të përgjithshëm publik Kino Lumbardhit,
2.    Ndalja e procesit të privatizimit (përmes likuidimit) të Kino Lumbardhit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit,
3.    Shpallja e Kino Lumbardhit si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
4.    Themelimi i një grupi punues në bashkëpunim me komunitetin e kulturës për të hartuar planin e menaxhimit për Kino Lumbardhin,
5.    Ngritja e fondeve nga buxheti shtetëror, donatorët ndërkombëtar dhe palët e tjera për restaurimin dhe rifunksionalizimin e ndërtesës së Kino Lumbardhit,
6.    Menaxhimi i Kino Lumbardhit nga një trup i përbashkët që do të mandatohet për zbatimin e planit të menaxhimit që do ta funksionalizojë atë si hapësire e përbashkët kulturore me destinimin primar si kinema e qytetit,
7.    Themelimi i një grupi ekspertësh (multidisiplinar) nga Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës për t’i shqyrtuar mundësitë alternative të zgjidhjes së problemit në rrugën kryesore.


Në emër të organizatave nënshkruese të Deklaratës së Përbashkët,
pjesë e Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit,

Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv
Dokufest

 

INICIATIVA PËR MBROJTJEN E KINO LUMBARDHIT

Advocacy Training & Resource Center (ATRC), AKV Lidhja e Prizrenit, Alter Habitus, Anibar, Balkan Investigative Reporting Network (BIRN), Caritas Switzerland, Chopin Association Kosova, Dogru Yol TKSD, Dokufest, Durmish Asllano, EC Ma Ndryshe, ESTA Kosovë, Evolution Dance, Festivali DAM, Fondacioni ArsKosova, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni i Trashëgimisë Kulturore LEGATUM, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Fondacioni Together Kosova, Forumi për Iniciativë Qytetare (FIQ), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL),

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti GAP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Keshilli Rinor Kosovë (KYC), Konsumatori, Kosovo 2.0, Kuarteti Pentagram, Leo's Art Org, Lëvizja FOL, N'GO, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR), Orin, ORION, Qendra ARTPOLIS, Qendra Multimedia Prishtinë, Riverside, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Syri i Vizionit (SiV), Shoqata e Juristëve NORMA, Shoqata Numizmatike DEMASTION, Shoqata për Art FRYMA E RE, Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), Teatar Geto Gracanica, Teatri ODA, Trashëgimia Kulturore pa Kufij Prishtinë (CHwB), Varg e Vi, X40, Xhennet Comics, Youth Voice